KRIZA ENERGJETIKE, VON DER LEYEN: KE PO KURSEN, DUHET TA BËJMË TË GJITHË

Kriza energjetike në të gjithë botën për shkak të thatësirës dhe luftës në Ukrainë për shkak të reduktimit të gazit rus, ka bërë që të gjitha shtetet të dalin me plane kursimi dhe thirrje për qytetarët për të reduktuar sa më shumë përdorimin e energjisë. Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se BE po punon për gjetjen e mënyrave inteligjente për të kursyer energji. Sipas saj ngritja me vetëm 1 gradë e kondicionerit mund të kursejë energjinë deri në 7 % në vit. Von der Leyen tha se kjo mënyrë, por edhe mbyllja e disa godinave në verë po ndikon në kursimin e energjisë dhe sipas saj kjo po aplikohet tashmë nga disa shtete anëtare të BE-së. “Në të gjithë BE-në po prezantohen mënyra të zgjuara dhe efikase për të kursyer energji. Temperaturat pak më të larta për kondicionerin, për shembull, sjellin rezultate mbresëlënëse. Është mirë që disa shtetet anëtare po përfshijnë masa të tilla në planet e tyre. Së bashku, ne kursejmë energji për një dimër të sigurt. Rritja e temperaturës së kondicionerit në shtëpi me vetëm 1°C mund të kursejë rreth 7% në përdorimin e energjisë gjatë një viti. Edhe Komisioni Europian po kursen energji gjithashtu, sipas Strategjisë së saj të Gjelbërimit. Për shembull, ne po e mbyllim ngrohjen dhe ftohjen në shumicën e ndërtesave 1 orë më herët se më parë, duke kursyer 3% të përdorimit tonë vjetor të energjisë. Ne gjithashtu mbyllim disa ndërtesa për verën dhe lehtësojmë punën në distancë”, shkruan Von Der Leyen në twitter. Thirrje për kursimin e energjisë bëri edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherësh zv.Kryeministrja Belinda Balluku duke u bërë thirrje qytetarëve që të shmangin ndriçimin e panevojshëm kur nuk janë në shtëpi. Çmimi i energjisë në treg për shkak të krizës ka arritur në shifra rekord ku ditën e sotme 1 megavat shitet për 554 euro në bursë, por që pritet që ky çmim të rritet edhe më tej.

SHARE