INVESTITORI NGA KATARI NJOFTON HAPJEN E 70 VENDEVE TË PUNËS NË TUZ

Investitori nga Katari dhe një nga liderët në prodhimin e shafranit në Lindjen e Mesme, Jaber Al Mansouri, ka marrë me qira 400 mijë metra katrorë tokë në Tuz me qëllim të fillimit të prodhimit bujqësor në komunën e Tuzit.  Ai në takimin me kryeministrin Dritan Abazoviq, njoftoi se në dy javët e ardhshme do të ngrejë 23 sera në këtë zonë dhe do të punësojë 70 punëtorë.  Siç njoftojnë nga zyra e kryeministrit, investitori nga Katari e ka njohur Abazoviqin me planin dinamik të punës së kompanisë që do të merret me prodhimin e pemëve dhe perimeve. Abazoviq, siç shtohet nga Qeveria, ka theksuar se mezi pret ardhjen e vazhdueshme të investitorëve të cilët e njohin Malin e Zi si ideal për investime, këtë herë në fushën e prodhimit bujqësor. “Kryeministri u shpreh se investimi i lartpërmendur përveç shtetit është i rëndësishëm edhe për komunitetin lokal, i cili ka mundësi të punësojë dhjetëra qytetarë. Ai shprehu bindjen se ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit të mëtutjeshëm mes qeverisë dhe partnerëve të Malit të Zi dhe Katarit, të cilët e njohin gjithnjë e më shumë vendin tonë, duke theksuar veçanërisht potencialin për investime në veri të vendit”, thuhet në njoftim.

SHARE