Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se shumë shpejt mund të vijë dita që qeveria të udhëhiqet nga inteligjenca artificiale (AI), transmeton Anadolu.
Rama foli në një takim në Berat me përfaqësues të teknologjisë dhe inovacionit në kuadër të vizionit “Shqipëria 2030” dhe rrugës drejt integrimit të vendit në Bahkimin Evropian (BE). Në prani të pjesëmarrësve në ngjarje, ai vlerësoi rolin që teknologjia dhe inteligjenca artificiale mund të luajnë në modernizimin e administratës dhe përshpejtimin e reformave.
Kryeministri shqiptar përmendi një shembull të Emirateve të Bashkuara Arabe, presidenti i cilës dje vizitoi Shqipërinë, duke theksuar se mbledhjet e bordit të tyre bëheshin me praninë e një vëzhguesi të inteligjencës artificiale, që ishte pjesë e bordit dhe regjistronte mbledhjen, duke dhënë në fund opinionin për atë që është thënë në takim.
“Shumë shpejt AI-ja mund të bëhet anëtari më efikas i bordit. Ku të çon kjo? Të çon në idenë që shumë shpejt mund të vijë dita që qeverinë mund ta kesh AI. Shumë shpejt mund të vijë dita që ti ‘ministrin X’ e ke AI. Nuk ka as kushëri për të futur në punë, as interesa të asnjë natyre që të prishë proceset”, tha Rama.
Ai theksoi se, edhe pse kjo nuk është ende një objektiv i qeverisë, përdorimi i inteligjencës artificiale për ta përmirësuar qeverisjen është një ide që nuk duhet përjashtuar dhe që “mund të merret me shumë kënaqësi përsipër”.