MILLATOVIQ-MEINL-REISINGER: MALI I ZI ZË NJË POZICION UDHËHEQËS NË RAJON NË INTEGRIMET EVROPIANE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, priti në takim ministren e Çështjeve Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, në kuadër të vizitës së saj të parë zyrtare në Malin e Zi.

“Në një bisedë të hapur dhe të përmbajtjeshme konfirmuam lidhjet e forta historike, kulturore dhe ekonomike midis vendeve tona. Theksova se marrëdhëniet mike që Mali i Zi dhe Austria kultivojnë përbëjnë themelin e së ardhmes sonë të përbashkët evropiane,” shkroi Millatoviq në rrjetin social (X).

Ai shtoi se është mirënjohës Austrisë për mbështetjen e qëndrueshme dhe parimore ndaj rrugës evropiane të Malit të Zi.

“Një mbështetje që ka një rëndësi të veçantë në momentin kur punojmë intensivisht për të arritur qëllimin, anëtarësimin në BE deri në vitin 2028,” theksoi presidenti i Malit të Zi.

Në postim ai shkroi se Meinl-Reisinger shprehu bindjen e qartë se Mali i Zi zë një pozicion udhëheqës në rajon kur është fjala për integrimet evropiane, gjë që për ne është një motivim shtesë.

“U dakorduam që do të punojmë së bashku për forcimin e agjendës evropiane, ndërsa Samiti i ardhshëm BE – Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Malin e Zi në vitin 2026, e shohim si një mundësi të rëndësishme për të treguar përkushtimin tonë ndaj reformave dhe vlerave evropiane,” deklaroi Millatoviq.  

SHARE