Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Në Institutin e Onkologjisë pranë Qendrës Klinike të Malit të Zi, sot është vënë në funksion pajisja më moderne në botë për trajtimin e kancerit me rrezatim – “TrueBeam”.
Kjo pajisje, e blerë përmes Drejtorisë për Projekte Kapitale dhe me vlerë rreth 4 milionë euro, shënon një hap të madh në përmirësimin e trajtimit të sëmundjeve malinje në vend.
Ministri i Shëndetësisë, dr Vojislav Shimun, deklaroi se kjo pajisje e re mundëson një formë shumë të saktë, të shpejtë dhe efektive të terapisë me rrezatim, duke dëmtuar minimalisht indet e shëndetshme.
Me ndihmën e teknologjisë 4D, tani është e mundur të trajtohen me saktësi tumoret që ndodhen në organe që lëvizin gjatë frymëmarrjes si mushkëritë, gjiri, mëlçia dhe gjëndrat mbiveshkore.
Kjo është pjesë e një procesi të gjerë modernizimi të Institutit të Onkologjisë, i cili përfshin edhe përdorimin e skanerëve të avancuar, zgjerimin e kapaciteteve për terapi sistemike dhe futjen e trajtimeve të reja si imunoterapia dhe ilaçet e targetuara për lloje të ndryshme të kancerit.
Sipas drejtorit të QKMZ, dr Aleksandar Radoviq, më shumë se 20 profesionistë janë trajnuar për përdorimin e kësaj pajisjeje dhe janë mbajtur mbi 40 sesione edukative. Kjo nënkupton që pacientët tashmë mund të marrin trajtim cilësor brenda vendit, pa pasur nevojë të udhëtojnë jashtë.
Drejtoresha e Institutit të Onkologjisë, dr Gordana Bashoviq, theksoi se kjo pajisje u jep pacientëve një shans të ri për trajtim më të shkurtër, me më pak efekte anësore dhe me rezultate më të mira.
Ajo tha se ky zhvillim e vendos sistemin shëndetësor të Malit të Zi në një nivel të krahasueshëm me vendet evropiane më të avancuara.