MINISTRIA E JASHTME E KOSOVËS U BËN THIRRJE QYTETARËVE TË SHMANGIN LËVIZJET NËPËRMJET SERBISË

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës u ka bërë thirrje mërgimtarëve dhe qytetarëve të Kosovës që të shmangin lëvizjen përmes territorit të Serbisë. 

Kjo thirrje e ministrisë vjen pasi gjatë ditës u bë e ditur se në afërsi të Lozicës në Serbi u vra një polic serb dhe i dyshuar për këtë rast, sipas autoriteteve të Serbisë, është një shtetas kosovar.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thuhet në reagim.

MPJD tha tutje se për këtë rast po i ndjekë zhvillimet nga afër përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Në Loznicë, qytetin perëndimor të Serbisë në kufi me Bosnje e Hercegovinën, në orët e para të së enjtes u vra një polic serb, ndërsa një tjetër u plagos rëndë.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, gjatë ditës tha se vrasja e një zyrtari policor në Loznicë dyshohet të jetë akt terrorist, derisa Policia serbe është ende në kërkim të sulmuesit.

Sipas Ministrisë së Brendshme serbe në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizi, i lindur më 1991, si dhe një dokument tjetër identifikimi i lëshuar nga Gjermania.

SHARE