GORÇEVIQ: NË GJASHTË MUAJ U MIRATUAN NJË NUMËR I MADH DOKUMENTESH QË E AFROJNË MALIN E ZI ME BE-në

Gjatë gjysmës së parë të vitit 2024 janë miratuar një numër i madh i dokumenteve ligjore dhe strategjike, të cilat në masë të madhe i afrojnë rregulloret malazeze me ato evropiane, tha ministrja e Çështjeve Evropiane Maida Gorçeviq në seancën e sotme të Qeverisë.

Siç njofton Ministria e Çështjeve Evropiane, Gorçeviq ka thënë se në këtë mënyrë plotësohen kriteret për mbylljen e kapitujve të negociatave, por ajo që është edhe më e rëndësishme, gradualisht futen standardet evropiane dhe përmirësohet cilësia e jetës së qytetarëve.

Ajo theksoi se nga gjithsej 102 obligime, 50 janë zbatuar. Ajo përkujtoi se Qeveria ka miratuar 28 ligje shumë të rëndësishme, që përfaqësojnë 61% të akteve të planifikuara dhe 28 akte nënligjore, që përfaqësojnë 57% të akteve të planifikuara.

“Edhe pse është pakrahasueshëm më mirë në krahasim me vitin e kaluar, ne nuk do të jemi të kënaqur me këto shifra dhe do të mundohemi që deri në fund të vitit ta bëjmë nivelin e realizimit dukshëm më të lartë”, tha Gorçeviq.

Ajo po ashtu theksoi se përpos një sërë ligjesh në fushën e drejtësisë dhe medias që ishin kyçe për marrjen e një IBAR-i pozitiv dhe që ishin në fokus të punës së Qeverisë, në gjysmën e parë të vitit, institucionet kanë punuar me përkushtim edhe mbi rregullore të tjera të rëndësishme.

SHARE