VALA E TË NXEHTIT MBUSHI URGJENCËN

Për shkak të temperaturave të larta të ditëve paraprake, në urgjencë janë paraqitur deri në 900 pacientë çdo ditë, ndërsa në Podgoricë janë regjistruar dhjetëra raste të goditjes nga dielli dhe të nxehtit.

Drejtori i Institutit për Ndihmë Emergjente Mjekësore, Vuk Nikoviq, i është përgjigjur “Vijesti” se njësitë e atij institucioni po shënojnë një numër të shtuar të pacientëve për shkak të temperaturave të larta.

Ai tha se personeli i ambulancës në të gjithë vendin ka ekzaminuar pardje afër 900 pacientë.

Për krahasim, numri i shikimeve për 24 orë gjatë prillit dhe majit ishte midis 500 dhe 600.

“Ekipet mjekësore në Podgoricë ekzaminojnë më shumë se 200 pacientë në ditë, mes të cilëve ka dhjetëra raste të goditjes nga dielli dhe të nxehtit. Rritje e numrit të pacientëve gjatë festave dhe fundjavave është regjistruar edhe në bregdet, ku p.sh., njësia në Ulqin kishte rreth 100 pacientë në 24 orë, vetëm në ambulancë, Budva rreth 60, Tivari mesatarisht rreth 70 në ditë”, tha Nikoviq.

Ai shpjegoi se ka edhe pacientë që nuk kanë ndonjë problem shëndetësor, por vijnë në urgjencë për shkak të marramendjes, dobësisë, të fikëtit, të përzierave dhe të vjellave.

Instituti këshillon që qytetarët të mos dalin jashtë nga ora 10:00 deri në orën 17:00, nëse është e mundur. Këshillohet hidratimi i rregullt, deri në dy litra ujë në ditë, edhe kur nuk kemi etje.

SHARE