Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj si dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq kanë pritur në një vizitë lamtumirëse ambasadorin e Shqipërisë Ridi Kurtezin.
Ambasadori Kurtezi në takim me kryetarin Gjeloshaj ka evidentuar se në këto vite të qëndrimit në Malin e Zi, është dëshmitar i arritjeve të rëndësishme në axhendën e pakicës shqiptare në Malin e Zi, duke evidentuar miratimin e Ligjit për simbolet kombëtare, mëvetësinë e Komunës së Tuzit, aktivitetin e Forumit Shqiptar, profesionalizmin dhe pjekurinë e faktorit politik shqiptar, si dhe pjesëmarrjen në qeverinë e pakicave, në të cilin zëri i shqiptarëve mori më tepër jetë se më parë.
Ambasadori ka falenderuar dhe ka shprehur mirënjohje për kryetarin Gjeloshaj, i cili me vizion dhe pjekuri politike arriti të bashkojë si kurrë më parë të gjitha subjektet politike shqiptare në Tuz përreth Forumit Shqiptar dhe në sinergji për të fituar, duke u bërë shembull edhe për të tjera njësi administrative të dominuara nga shqiptarët në Mal të Zi.
Ambasadori ka konstatuar me kënaqësi se administrimi i komunës nga Forumi Shqiptar po vazhdon me sukses, duke treguar vizionin dhe pjekurinë politike të udhëheqësve të partive politike shqiptare në Tuz dhe të kryetarit Gjeloshaj, i cili ka inkurajuar bashkëpunimin dhe bashkëjetesën shembullore me malazezët dhe grupet e tjera etnike.
Në përfundim të misionit diplomatik në Malin e Zi, kryetari i komunës Nik Gjeloshaj i ka akorduar ambasadorit Kurtezi medaljen e mirënjohjes së Komunës së Tuzit me motivacionin për kontributin e veçantë në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Tuzit dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë.
Ambasadori ka falenderuar dhe ka shprehur nderim për Komunën e Tuzit dhe malësorët mikpritës, të cilët kanë hyrë në ndërgjegjen historike të shqiptarëve si shpalosje heroike e mbijetesës së identitetit shqiptar.
Kryeministri Dritan Abazoviq falënderoi për bashkëpunimin e shkëlqyer në periudhën paraprake, duke shtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve gjatë mandatit të Kurtezit janë përmirësuar në maksimum historik.
“U konstatua se në dy vitet e mëparshme, Mali i Zi dhe Shqipëria filluan së bashku projektet historike të infrastrukturës, si ndërtimi i një ure në Bunë që do të lidhë më mirë të dy vendet, si dhe një projekt lundrues në lumin Buna”, njoftoi Qeveria.
Në takim është shprehur kënaqësi e ndërsjellët me rastin e seancës së përbashkët të mbajtur së fundmi të dy qeverive dhe u theksua se bashkëpunimi duhet të vazhdojë me të njëjtin intensitet.
Kryeministri Abazoviq i uroi ambasadorit fat dhe suksese në punën e tij të mëtutjeshme.