Partia Socialdemokrate (SDP) do ta zyrtarizojë teknikisht kërkesën për shkurtimin e mandatit të Qeverisë së Malit të Zi, tha ministri i Jashtëm Ranko Krivokapiq. Ai tha se me konfirmimin e sotëm të procesverbalit nga seanca e kaluar e Qeverisë, në të cilën është miratuar propozimi për tekstin e dakorduar të Marrëveshjes Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe (KOS), është e qartë se Qeveria ka humbur besueshmërinë e saj. “Qeveria nuk ka besimin e PSD-së dhe do të bëhet zyrtarizimi i shkurtimit të mandatit, por kjo është ajo që është themelore në demokraci, kur braktisë atë që u premtove qytetarëve, atëherë është e drejtë ta kthesh mandatin dhe të shkohet në zgjedhje”, u tha Krivokapiq gazetarëve. Në konferencën për media pas bisedës me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gerrvalla, Krivokapiq duke folur për marrëdhëniet bilaterale mes Malit të Zi dhe Kosovës, tha se Mali i Zi nuk është vetëm fqinj, por edhe mik i atij vendi. Gerrvalla tha se Mali i Zi dhe Kosova që në ditën e parë shprehën mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe dënuan agresionin e Rusisë. “Shumë herët kemi vendosur se cilën palë do të mbështesim. Bashkëpunimi ynë është i jashtëzakonshëm, jo vetëm në nivel dypalësh por edhe në kuadër të nismave ndërkombëtare dhe rajonale”, tha ajo. Ajo theksoi se dy vendet nuk kanë alternativë ndaj rrugës evropiane, duke shtuar se janë të vendosur të vazhdojnë bashkëpunimin që do të jetë mirë i koordinuar në kontekstin rajonal dhe që Kosova e sheh si pjesë të një tregu të përbashkët të hapur. “Kur bëhet fjalë për rrugën e përbashkët drejt BE-së, këto eksperimente janë të qarta për ne. Ne nuk duam të jemi pjesë e një eksperimenti që do të jetë një rrethanë rënduese në rrugën drejt BE-së. Jemi të vendosur t’i përmbahemi një rruge të qartë evropiane”, tha ministrja.