Foto: Shutterstock
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Luftës kundër Gjuhës së Urrejtjes, Kombet e Bashkuara në Mal të Zi kanë bërë thirrje për veprim të vendosur kundër përhapjes së gjuhës së urrejtjes në vend.
Ata theksojnë se Mali i Zi nuk është përjashtim nga ky fenomen global dhe se politikanët dhe figurat publike kanë përgjegjësi të veçantë për ta luftuar atë.
Sipas të dhënave nga një hulumtim i realizuar nga agjencia IPSOS për nevojat e OKB-së në dhjetor 2024, 93% e qytetarëve të anketuar vërejnë gjuhë urrejtjeje në ambientin e tyre, ndërsa rreth 80% e të rinjve të moshës 14–19 vjeç besojnë se janë në gjendje ta njohin atë, megjithëse vetëm një pjesë e vogël e tyre e ka të vështirë të dallojë gjuhën e urrejtjes nga liria e shprehjes.
Hulumtimi tregon se gjuha e urrejtjes është veçanërisht e drejtuar ndaj kundërshtarëve politikë dhe grupeve të cenueshme si personat LGBTIQ+, Romët, migrantët, refugjatët, kërkuesit e azilit, si dhe individët nga shtresat më të ulëta socio-ekonomike.
Gratë në jetën publike – gazetaret, politikanet dhe mbrojtëset e të drejtave të njeriut – janë shpesh në shënjestër të seksizmit dhe mizogjinisë, shpesh të maskuar si humor apo pjesë e traditës.
Sipas të dhënave të UNDP-së, 7 nga 10 politikane në Mal të Zi kanë përjetuar një formë të dhunës.
“Gjuha e urrejtjes nuk është vetëm një çështje margjinale – ajo është një kërcënim i drejtpërdrejtë për kohezionin shoqëror dhe dialogun demokratik”, deklaroi Diego Sorilja, koordinator rezident i OKB-së në Mal të Zi.
Ai shtoi se sistemi i OKB-së është i bashkuar në përkrahjen e institucioneve shtetërore, mediave dhe shoqërisë civile, në ndërtimin e një kulture respekti dhe përfshirjeje.
OKB mbështet Malin e Zi përmes bashkëpunimit të agjencive të saj si UNDP, UNESCO, UNICEF, OHCHR, IOM dhe UNHCR, duke ndihmuar në forcimin e kohezionit shoqëror, përmes dialogut në komunitet, edukimit mediatik, luftës kundër dezinformimit, promovimit të politikave të ndjeshme ndaj gjinisë dhe futjes së mësimdhënies socio-emocionale.
Gjithashtu, OKB mbështet punën e Avokatit të Popullit, laboratorëve të inovacionit social dhe integrimin e refugjatëve dhe personave pa shtetësi në komunitetet lokale. “Gjuha e urrejtjes është më shumë se një gjuhë fyese – ajo është një mjet i rrezikshëm për përhapjen e urrejtjes dhe mund të çojë në dhunë, krime, madje edhe në gjenocid,” thuhet në deklaratën e OKB-së.
Këtë vit, fokusi i Ditës Ndërkombëtare është tek inteligjenca artificiale, e cila, në varësi të përdorimit, mund të shërbejë si mjet për përhapjen ose parandalimin e gjuhës së urrejtjes.
Më 18 qershor, OKB në Mal të Zi bën thirrje për veprim të koordinuar përmes edukimit, dialogut, përfshirjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, për të ndaluar përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.