LËSHOHET URDHËR-ARREST NDËRKOMBËTAR NDAJ RADOIÇIQIT

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale që të lëshohet urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj Milan Radoiçiqit dhe ndaj dhjetë personave të tjerë në kuadër të veprimeve hetimore që po ndërmerren në rastin e vendosjes së barrikadave në komunat veriore në Kosovë në vitin 2022, transmeton Anadolu.

Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi se autoritetet po i hetojnë rreth 50 persona për veprat penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, thirrjen për rezistencë” dhe “bashkim për veprimtari kundër kushtetutës”.

“Urdhër-arresti është lëshuar në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u ndërmarrë në rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore në vitin 2022. Përveç Radojiçiq, Prokuroria Speciale ka lëshuar urdhër-arrest edhe ndaj 10 personave tjerë të dyshuar në këtë rast”, është përgjigjur për mediat lokale zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta

Në korrik të vitit 2022, Kosova vendosi që qytetarët me targa dhe dokumente serbe duhej t’i ndërronin ose t’i pajisnin me dokumente të përkohshme të Kosovës kur hynin në vend, pas çka serbët në veri të Kosovës ngritën barrikada për të bllokuar rrugët dhe pikat kufitare

Radoiçiq ishte një ndër njerëzit kyç që luajti rol të rëndësishëm gjatë krizës së barrikadave. Ai gjithashtu është i dyshuari kryesor për sulmin e shtatorit të vitit 2023 në Banjska të Zveçanit.

SHARE