MILLATOVIQ ME ANËTARËT E BORDIT TË DREJTORËVE TË BERZH-it

Presidenti  i Malit të Zi Jakov Millatoviq priti anëtarët e bordit të drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

“Me atë rast, presidenti i shtetit i njoftoi bashkëbiseduesit për situatën aktuale socio-politike në vend, duke theksuar se është e një rëndësie të madhe për Malin e Zi që të zhvillojë infrastrukturën sipas standardeve të larta evropiane në koordinim dhe përmes kredive nga bankat evropiane dhe me grante të BE-së”, thuhet në njoftim.

Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes dhe partneritetit me BERZH-in, nëpërmjet financimit të favorshëm dhe transparent të projekteve të ardhshme kyçe të infrastrukturës në Mal të Zi.

“Ai shtoi se lidhja më e mirë rajonale dhe vazhdimi i ndërtimit të projekteve të infrastrukturës së transportit me mbështetjen e BERZH paraqet rrugën drejt progresit të mëtejshëm ekonomik të vendit tonë. Gjithashtu, presidenti Milatoviq vuri në dukje kontributin e BERZH-it në drejtim të forcimit të konkurrencës së ndërmarrjeve tona të vogla dhe të mesme dhe theksoi rëndësinë e krijimit sa më të shpejtë të fondit të garancisë së kredive me mbështetjen e BERZH-it”, thuhet në njoftim.

Bashkëbiseduesit e vlerësuan bashkëpunimin mes Malit të Zi dhe BERZH-it si të shkëlqyer dhe thelbësor, duke kujtuar projektet e shumta të përbashkëta që janë realizuar në vendin tonë në periudhën e kaluar.

SHARE