KURTI BISEDON ME CHOLLET, KËRKOHET ZBATIMI I PLOTË DHE I PAKUSHTËZUAR I MARRËVESHJES SË BRUKSELIT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar në telefon të mërkurën mbrëma me këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, me të cilën kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në dialog dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në katër komunat veriore më 23 prill.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, diskutimi për dialogun ka pasur theks të veçantë te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes së Brukselit të arritur më 18 mars ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Ata biseduan edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike, dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve. Folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur”, thuhet në njoftim.

Kurti i ka thënë Cholletit se institucionet e Kosovës mbesin të “përkushtuara për të garantuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në vend.”

“Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara që të garantojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, dhe në të njëjtën kohë të sigurojnë mbarëvajtjen e shërbimeve ndaj qytetarëve”, thuhet në njoftim.

SHARE