PROJEKTLIGJI I BUXHETIT PËR VITIN 2021 MORI DRITËN JESHILE

Projektligji për buxhetin për vitin 2021 mori shumicën e nevojshme në votimin e sotëm të Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Financave dhe Buxhetit. Shtatë deputetë ishin pro, ndërsa deputetët e opozitës Damir Shehoviq dhe Rashko Konjeviq abstenuan. Gjatë diskutimit të sotëm, ndër të tjera, folën për të ardhurat e propozuara të buxhetit, dhe mbi të gjitha nëse rritja e propozuar e akcizës për duhanin, pijet alkoolike, pijet e gazuara dhe ëmbëlsirat është e justifikuar dhe reale nga aspekti i të ardhurave shtesë në 2021. Të rikujtojmë se dje, Dhoma e Tregtisë së Malit të Zi, Bashkimi i Punëdhënësve, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Shoqata e Menaxherëve dhe shoqata të tjera njëzëri thanë se rritja e akcizave do të çoj në rritjen e ekonomisë gri. Siç u theksua dje, politika e akcizës mund të rrisë çmimet e cigareve, kështu që nga 1 korriku, qytetarët duhet të lënë mënjanë mesatarisht gjysmë euro më shumë. Gjithashtu, çmimi i një litri të pijeve të gazuara do të shtohet për 12 cent, paketimi standard i çokollatës ose akullores për rreth 10 cent, dhe paketimi i pijeve alkoolike për 7 deri në 15 cent. Gjatë diskutimit të sotëm, Ministri i Financave, Millojko Spajiq, hapi mundësinë e bisedimeve më intensive me ekonominë dhe një marrëveshje mbi “ngritjen graduale të akcizave”. “Unë mendoj që ky nivel i akcizës që ne përfaqësojmë tani nuk është niveli i akcizës që do të rrezikojë ekonominë në asnjë mënyrë, kjo është bindja jonë e thellë. Sidoqoftë, ekziston mundësia që të jetë një rritje graduale e akcizave. Ne jemi të hapur të flasim për ekonominë dhe mendoj se të gjithë do të pajtohemi që duhet të flasim më intensivisht për ekonominë dhe të nxjerrim disa përfundime fitimprurëse,” tha Ministri Spajiq.

SHARE