Ukraina kërkoi nga shtetet e grupit G7 ta mbështesin me më shumë sisteme mbrojtëse ajrore, siç vepruan me Izraelin. Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe grupit të shteteve me ekonomitë më të zhvilluara në botë, Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara po takohen sot në Itali.
Zhvillimet globale, siç është gara e shtuar ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, tensionet në Lindje të Mesme dhe lufta ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës janë temë qendrore e takimit të ministrave të jashtëm të 27 shteteve të Bashkimit Evropian dhe atyre të G-7, në qytetin italian Kapri.
“Ukraina është çështje e rëndësisë thelbësore për ne. T’i ndihmosh Ukrainës është të punosh për paqen, ta përkrahësh Ukrainën nënkupton qëllimin për t’u ulur në tryezën e paqes. Është detyra jona ta ndihmojmë këtë shtet të mbrojë lirinë, demokracinë, ligjin ndërkombëtar dhe respektimin e vlerave,” deklaroi Ministri i jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.
I të njejtit qëndrim është edhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, i cili kërkoi nga Kongresi amerikan që të miratojë pa vonesë fondet shtesë të propozuara nga presidenti amerikan.
Por, sipas Ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, shtetet perëndimore po veprojnë sipas “dy strategjive të ndryshme” në Izrael dhe Ukrainë.
“Mendoj se është e rëndësishme të identifikojmë strategjinë. Strategjia e partnerëve tanë në Izrael duket se është të parandalojnë dëme dhe vdekje. Dhe për këtë arsye ata gjetën mënyrën që në mënyrë efektive t’i interceptojnë dhe rrëzojnë raketat iraniane. Ndërkohë, gjatë këtyre muajve të fundit, strategjia e partnerëve tanë në Ukrainë duket se është të ndihmojnë në rimëkëmbje nga dëmet dhe të shprehin simpati për vdekjen e civilëve. Dhe këto janë dy strategji të ndryshme. Andaj është detyra jonë sot, që partnerët tanë të gjejnë rrugët, mënyrat që do të mundësojnë shmangien e vdekjeve dhe shkatërrimeve në Ukrainë dhe jo rimëkëmbjen nga to,” tha ai.
Zoti Kuleba kërkoi nga ministrat që t’i japin Ukrainës më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketa.
“Shtete e G7 e kanë kapacitetin, ata kanë marrë vendime të jashtëzakonshme. G7 është e interesuar të mbrojë një botë, të cilën Ukraina po e mbron kundër sulmit rus. Ajo që duhet të bëjmë është t’i përmbushim këto qëllime,” shtoi ai.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell tha se bota perëndimore nuk mund të lejojë fitoren e Presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë.
“Shtetet perëndimore, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të marrin vendime më të shpejta për të mbështetur më shumë Ukrainën. Ne nuk mund të lejojmë fitoren e Putinit në Ukrainë. Ukrainasit po luftojnë, por atyre u duhen armë. Atyre u duhen armët dhe ne duhet t’ua sigurojmë ato sa më shpejt. Këtë thirrje po ua bëj ministrave të mbrojtjes – duhet të merren vendime konkrete për t’i dërguar Ukrainës më shumë sisteme mbrojtëse ajrore. Në të kundërtën, sistemi energjetik i Ukrainës do të shkatërrohet dhe asnjë vend nuk mund të luftojë pa patur energji elektrike nëpër shtëpi, në fabrika, në vijat e frontit,” deklaroi ai.
Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane po diskutojnë propozimet për të përdorur të ardhurat nga pasuritë e ngrira ruse, që arrijnë vlerën e miliarda dollarëve, për të financuar armët për Ukrainën.
Këto propozime po marrin vëmendje të shtuar për shkak të bllokimit të përpjekjeve për ndihmë financiare në Kongresin amerikan.