Parlamenti Europian i dha dritën jeshile vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, e me këtë lëvizje, mbyllen dhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje.
Miratimi u bë pa votim, duke qenë se asnjë nga ligjvënësit në sallë nuk kishin kundërshtim. Të mërkurën do të nënshkruhet akti ligjor, e pas kësaj, hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Fletoren zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij. Këshilli i ministrave të BE-së e dha OK-in e tij muajin e kaluar. Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024. Çështja e liberalizimit të vizave të Kosovës u lidh me hyrjen në fuqi të sistemit të udhëtimit në Europë, Etias.
“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit (të ministrave të BE-së) dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.
Pas këtij vendimi, ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës ku në një komunikatë për media është thënë se “Liberalizimi i vizave tashmë është realitet”.
“Ditën e sotme u votua pozitivisht në Parlamentin Evropian dhe vendimi final mbi liberalizimin e vizave. Ai do të nënshkruhet zyrtarisht ditën e nesërme në Strasbourg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi”, njofton Qeveria e Kosovës.
Sipas Qeverisë, falë punës së saj, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se “Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante”.