INTEGRIMI NË BE / KROACIA OFRON MBËSHTETJE TË PAKUFIZUAR PËR SHQIPËRINË

Kroacia do të mbështesë jo vetëm politikisht por edhe me ekspertizë teknike, procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kështu u dakordësua në takimin e ministres së jashtme, Olta Xhaçka me homologun e saj kroat Gordan Grliq-Radman. Shefja e diplomacisë vlerësoi mbështetjen kroate ndaj Kosovës.

Fill pas takimit bilateral Xhaçka u shpreh optimiste për takimin e dy qeverive dhe Komisionin e Përbashkët Ekonomik që priten të mbahen së shpejti.

“Çështjet e bashkëpunimit në fushën e integrimit, në fokus të axhendës tonë dypalëshe. Kroacia do të vijojë të jetë një mbështetëse e parezervë e procesit tonë të integrimit në BE jo vetëm politikisht, por edhe me ekspertizë teknike konkrete. Diskutuam edhe për një numër aktivitetesh që do të organizohen për herë të parë, si takimi i përbashkët i dy qeverive. Do mirëpresim më shumë investime private.”

Ministri i jashtëm kroat theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe politik mes dy vendeve.

“Kroacia është gati të ofrojë mbështetje politike dhe teknike për Shqipërinë për të realizuar transmetimin e të gjitha njohurive dhe përvojën e saj për integrimin e Shqipërisë në BE. Bashkëpunimi ynë ekonomik është në trend rritës. Ne besojmë se lidhjet më të mira në transport do të rrisin bashkëpunimin ekonomik dhe do i bëjnë njerëzit më të afërt me njëri-tjetrin.”

Në takimin e dy homologëve u konstatua nevoja për vendosjen e lidhjeve ajrore e detare dhe rëndësia e zbatimit të projekteve siç janë Autostrada Adriatiko-Joniane dhe Gazsjellësi Adriatiko-Jonian, duke shfrytëzuar avantazhet që sjell Gazsjellësi TAP.

SHARE