Foto: ETV
Para Kuvendit të Malit të Zi sot ka filluar protesta e pensionistëve, të cilët janë mbledhur për të shprehur pakënaqësinë ndaj pensioneve të ulëta dhe kushteve të vështira të jetesës.
Të pranishmëve iu bashkua edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i cili me këtë rast kritikoi qëndrimin e pushtetit ndaj kësaj kategorie.
“Rritja e fundit e pensioneve është e tillë siç është. Ka tridhjetë ministra, ndërsa askush nuk bën asgjë. Nuk i dëgjojnë problemet e pensionistëve”, tha Millatoviq, transmeton RTV Podgorica.
Ai theksoi se anëtarët e Qeverisë duhet të jenë mes qytetarëve dhe të dëgjojnë drejtpërdrejt kërkesat e tyre.
“Ministrat duhet të jenë këtu, në protestë, që të dëgjojnë njerëzit dhe problemet e tyre”, theksoi presidenti.
Pensionistët, siç thonë ata, kanë dalë në protestë për shkak të pakënaqësisë shumëvjeçare me nivelin e të ardhurave dhe përkeqësimit të vazhdueshëm të gjendjes ekonomike.










