Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Angjella Jakshiq Stojanoviq, dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë MTEL, Zoran Millovanoviq, nënshkruan një Memorandum bashkëpunimi, me të cilin sigurohet qasje falas në internet për shkollat fillore dhe të mesme në territorin e Malit të Zi.
Siç është bërë e ditur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, ky memorandum përcakton bashkëpunimin që synon përmirësimin e sistemit arsimor përmes sigurimit të një interneti cilësor dhe të qëndrueshëm, si një nga kushtet kyçe për mësim bashkëkohor dhe mësim digjital.
“Në përputhje me dokumentin e nënshkruar, MTEL do t’u mundësojë të gjitha shkollave ku ekzistojnë kushtet teknike internet kabllor falas, për një periudhë prej dhjetë vjetësh nga dita e nënshkrimit të Memorandumit”, thuhet në njoftim.
Në njoftim theksohet se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit do të ofrojë mbështetjen e nevojshme për realizimin e kësaj iniciative, në mënyrë që të sigurohen kushtet për vendosjen pa pengesa të infrastrukturës së internetit në shkolla, pa ndërprerë procesin mësimor.
“Me nënshkrimin e këtij Memorandumi është konfirmuar përkushtimi i përbashkët për përmirësimin e arsimit dhe krijimin e kushteve më të mira për mësim dhe punë për nxënësit dhe mësimdhënësit në mbarë Malin e Zi”, thuhet në njoftim.










