Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Në Konferencën Ndërqeveritare mes Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian, të mbajtur në Bruksel, u mbyll përkohësisht Kapitulli 21 – Rrjetet trans-evropiane, duke shënuar kapitullin e 14-të të mbyllur në procesin e negociatave.
Delegacionin e Malit të Zi e udhëhoqi kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq, i cili theksoi se këto rrjete forcojnë lidhjet mes njerëzve, ekonomive dhe ideve, duke e bërë kontinentin më të integruar.
Ai vuri në dukje se për Malin e Zi, si një vend në një pozicion strategjik, zhvillimi i rrjeteve transportuese dhe energjetike është një objektiv kyç për integrimin evropian.
Spajiq theksoi se Mali i Zi po punon në zhvillimin e korridoreve infrastrukturore, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe zgjerimin e lidhjeve energjetike me vendet fqinje dhe BE-në. Ai përmendi kabllon nënujore energjetike me Italinë si një projekt të rëndësishëm për lidhjen me tregun evropian të energjisë, si dhe iniciativa të tjera si gazsjellësi Adriatiko-Jonian.
Sipas tij, e ardhmja energjetike e Malit të Zi bazohet në burime të rinovueshme dhe infrastrukturë moderne.
Ai falënderoi BE-në për mbështetjen dhe theksoi se Mali i Zi do të vazhdojë reformat, investimet dhe respektimin e standardeve evropiane, duke e afruar gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian.










