Centrali i vetëm i energjisë atomike në Iran është goditur nga një predhë e paidentifikuar, ka thënë operatori rus i centralit, duke shtuar se nuk ka pasur të lënduar apo rrjedhje rrezatimi.
Kjo është hera e parë që centrali bërthamor i Bushehrit goditet që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.
Kompania shtetërore Rosatom tha në një postim në Telegram se sulmi ndodhi “më 17 mars, në orën 18:11 sipas kohës së Moskës”.
“Një sulm është kryer në territorin ngjitur me ndërtesën e shërbimit metrologjik, e vendosur në hapësirën industriale të centralit bërthamor Bushehr, në afërsi të menjëhershme të njësisë së energjisë në funksion”, thuhet në njoftim.
“Situata e rrezatimit në platformë është normale”, tha Rosatom, duke shtuar se nuk ka pasur viktima në mesin e punonjësve të saj. Në përgjigje, International Atomic Energy Agency bëri thirrje për “përmbajtje maksimale”.
“Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, rithekson thirrjen për përmbajtje maksimale gjatë konfliktit për të parandaluar rrezikun e një aksidenti bërthamor”, tha agjencia në një postim në X. Bushehri është centrali i vetëm bërthamor i Iranit.









