Foto: KOLEKTIV ME
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Podgoricë theksoi se ruajtja e një mbështetjeje të fortë dhe të qëndrueshme politike për reformat dhe vendimet që lidhen me BE-në në Kuvend mbetet prioritet kyç për Malin e Zi, sidomos duke pasur parasysh synimin për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2026.
Ky reagim vjen pas kritikave të opozitës për ndryshimet në Ligjin për Punët e Brendshme dhe atë për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, si dhe vendimit të PDS-së për t’u tërhequr nga pozitat drejtuese në komisionet parlamentare.
Nga Delegacioni u bë e ditur se Komisioni Evropian është në dijeni të shqetësimeve të shprehura nga shoqëria civile dhe aktorët politikë, duke theksuar se disa dispozita, veçanërisht ato për mbrojtjen e të dhënave, ende nuk janë plotësisht të harmonizuara me standardet e BE-së, si Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave dhe direktivat përkatëse.
BE-ja këshilloi që Mali i Zi të sigurojë përputhje të plotë me legjislacionin evropian, duke theksuar se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent, me pjesëmarrje aktive të opozitës.
Gjithashtu u mohua se është kërkuar ndërmjetësim nga presidenti Jakov Millatoviq, duke theksuar se pritet që të gjithë aktorët politikë të bashkëpunojnë në frymë dialogu dhe përgjegjësie.
Në fund, u theksua se integrimi në BE është një projekt i përbashkët kombëtar që kërkon konsensus të gjerë politik dhe stabilitet institucional.










