NDËRPRITET SEANCA E QEVERISË, MOSMARRËVESHJE PËR SANKSIONET NDAJ RUSISË

Seanca e Qeverisë është ndërprerë pas një sherri mes kryeministrit Zdravko Krivokapiq dhe ministrit të Punëve të Jashtme Gjorgje Radulloviq. Siç tha për “Vijesti” një burim i pranishëm në seancë, në atë kohë Qeveria ishte duke diskutuar për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Qeveria zyrtarisht njoftoi se seanca është ndërprerë “për shkak të mosmarrëveshjeve në procedurën e miratimit të vendimit për zbatimin e sanksioneve të përcaktuara në pikat 11,12,13 të rendit të ditës të miratuar”. “Arsyeja e ndërprerjes së seancës nuk është vetëm në pjesën procedurale, por edhe në mungesën e respektit dhe sjelljes së pahijshme të ministrit Radulloviq ndaj kryeministrit Zdravko Krivokapiq”, thuhet në njoftim. Një burim ka thënë për “Vijesti” se Krivokapiq ka ndryshuar konkluzionet e tij, përkatësisht është kundër që sanksionet të miratohen në formën në të cilën janë miratuar nga Komisioni për Sistemin Politik.Sanksionet e BE-së, të cilat Mali i Zi është zotuar të zbatojë, përfshijnë ngrirjen e fondeve dhe burimeve ekonomike, mbylljen e hapësirës ajrore për avionët rusë, ndalimin e mediave të qeverisë ruse dhe ngrirjen e aseteve të 53 personave juridikë dhe 680 individëve.

SHARE