KOMPANIA DELTA PARALAJMËRON SHTRENJTIMIN E BILETAVE

Çmimet e larta të naftës pritet të ndikojnë në shtrenjtimin e biletave për udhëtimet me aeroplanë, sipas shefit të kompanisë Delta, Ed Bastian. Ai ka thënë për transmetuesin britanik BBC, se ndikimi përfundimtar “varet nga çmimet e kerozinës”. Çmimet e karburanteve kanë arritur në nivelin më të lartë në 14 vjetët e fundit, si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë. Emirates, Japan Airlines dhe AirAsia janë në mesin e kompanive që kanë thënë se do të rrisin çmimin e biletave. Para pandemisë – më 2019 – 200 milionë konsumatorë kanë udhëtuar me Deltan, duke e bërë kompaninë e dytë më të madhe në botë për nga numri i pasagjerëve. Bastian ka thënë se për fluturimet brenda Shteteve të Bashkuara, çmimi i biletave do të rritet për gati 25 dollarë në biletë, dhe për fluturimet ndërkombëtare çmimi do të jetë pak më i lartë se aq. Fluturimet ndërkombëtare përbëjnë 35 për qind të biznesit të kompanisë Delta.

SHARE