INSTITUCIONET SERBE NË VERI / BE KËRKON DIALOG PËR DREJTUESIT E ARSIMIT DHE SHËNDETËSISË

Statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore që Serbia mbështet në Kosovë do të zgjidhet brenda kuadrit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe ligjet në fuqi të Kosovës, ka bërë të ditur një zëdhënës i Bashkimit Evropian.

Zyrtari rikujtoi se kryeministri Albin Kurti ka premtuar se do të trajtojë integrimin e strukturave shëndetësore dhe arsimore të mbështetura nga Serbia, në konsultim me komunitetin serb në Kosovë dhe me BE-në, përfshirë edhe Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun.

Institucionet shëndetësore dhe arsimore në komunat me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë aktualisht sipas sistemit të Serbisë dhe janë nga pak institucionet që nuk janë nën autoritetet e Kosovës.

Në fillim të këtij viti, kryeministri Kurti paralajmëroi se institucionet serbe të arsimit dhe shëndetësisë do të integrohen në sistemin e Kosovës, duke theksuar se procesi do të zhvillohet në koordinim me Bashkimin Evropian.

SHARE