SHBA DHE RUSIA DAKORDOHEN PËR MEKANIZMIN E KONSULTIMIT PËR TË LEHTËSUAR TENSIONET DYPALËSHE

Foto: AA

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se delegacionet amerikane dhe ruse ranë dakord të krijojnë një mekanizëm konsultimi për të adresuar çështjet që kanë tensionuar lidhjet dypalëshe, transmeton Anadolu.

Bisedimet dypalëshe në kryeqytetin saudit Riad, që synojnë normalizimin e operacioneve diplomatike, u fokusuan gjithashtu në përfundimin e luftës në Ukrainë dhe eksplorimin e bashkëpunimit të ardhshëm në çështjet gjeopolitike dhe ekonomike.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, tha se SHBA-ja është e përkushtuar të ndalojë dhunën dhe të përdorë ndikimin e saj global për të bashkuar kombet.

Ajo theksoi se presidenti Donald Trump është i vetmi lider që ka mundësi të ndërmjetësojë paqen midis Ukrainës dhe Rusisë. Marrëdhëniet Rusi-SHBA gjatë mandatit të parë të Trumpit në 2017-2021 u panë si të ngrohta.

Delegacionet ranë dakord të caktojnë ekipe të nivelit të lartë për të punuar drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme në Ukrainë dhe për të hedhur bazat për bashkëpunimin e ardhshëm në disa fusha, duke përfshirë mundësitë ekonomike dhe investuese.

Të dyja palët u zotuan të mbeten të angazhuara për të siguruar përparim.

Diskutimet vijnë pas bisedës telefonike që Trump kishte javën e kaluar me presidentin rus Vladimir Putin, duke shënuar një hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve dhe përgatitjes për një samit të mundshëm SHBA-Rusi.

Diskutimet, të organizuara nga Arabia Saudite për të mbështetur dialogun diplomatik, shënojnë takimin e parë midis diplomatëve rusë dhe amerikanë që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt 2022, gati tre vjet më parë.

Delegacioni rus u kryesua nga ministri i Jashtëm Sergey Lavrov, ndërsa nga ana amerikane, në krye dë delegacionit ishte Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

SHARE