MATTARELLA: MALI I ZI MUND TË JETË PJESË E BE-së NË VITIN 2028

Foto: Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Presidentit të Malit të Zi / Kancelarija za odnose sa javnošću predsjednika Crne Gore

Mali i Zi mund të arrijë qëllimin e tij për t’u bërë anëtar i plotë i Bashkimit Evropian (BE) në vitin 2028, tha presidenti italian Sergio Mattarella, duke shtuar se Italia është e gatshme të bashkëpunojë dhe të ndihmojë Podgoricën.

Në një konferencë për media në Cetinë, pas takimit me presidentin e Malit të Zi Jakov Millatoviq, ai tha se intensiteti i marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit mes dy vendeve është konfirmuar përmes shumë takimeve në nivelet më të larta politike dhe institucionale.

Duke folur për procesin e zgjerimit të BE-së, ai theksoi se mbështetja italiane nuk ka munguar asnjëherë dhe se Italia është e bindur se është e rëndësishme dhe urgjente që Mali i Zi, si dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të anëtarësohen në BE.

“Qëllimi – viti 2028, është diçka që do të mund ta arrijmë. Mali i Zi do të jetë në gjendje të bashkohet me BE në shumë pak vite,” tha Mattarella.

Millatoviq tha se bashkëpunimi dypalësh ndërmjet Malit të Zi dhe Italisë karakterizohet nga marrëdhënie miqësore dhe dialog intensiv politik.

Ky dialog politik, shtoi ai, u intensifikua edhe një herë nga vizita e tij në Romë në vitin 2023.

Ndërkohë, shton ai, me përpjekjet e qeverive tona, ne kemi forcuar lidhjet e transportit midis Malit të Zi dhe Italisë.

“Fluturime ajrore ndërmjet Podgoricës dhe Romës janë rivendosur, me ndihmën e linjës ajrore kombëtare malazeze. Linja detare mes Tivarit dhe Ankonës është rivendosur dhe është paralajmëruar edhe linja mes Tivarit dhe Barit”, tha Millatoviq.

Millatoviq thotë se mbështetja politike që Italia jep përmes platformës “Miqtë e Zgjerimit” është e pamatshme, ku tregohet qartë qëndrimi i Italisë për nevojën e zgjerimit të Bashkimit Evropian në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Simboli i këtij qëllimi – ne e kemi vendosur qartë qëllimin në Mal të Zi – është që ne duam të bëhemi një anëtar i plotë i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028. Po ashtu, është simbolike që në vitin 2028, Italia do të mbajë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian. Pse të mos themi se do të donim ta festonim së bashku hyrjen e Malit të Zi në BE atë vit gjatë presidencës suaj të Bashkimit Evropian”, tha Millatoviq.

SHARE