Foto: Kuvendi i Shqipërisë
Në Tiranë, Kuvendi miratoi sot disa ndryshime në Kodin Zgjedhor për të lehtësuar votimin e diasporës dhe shqiptarëve nga jashtë vendit në zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit.
Paketa e ndryshimeve ligjore u votua në mbrëmje me 111 vota pro, asnjë abstenim dhe asnjë kundër, pas një mirëkuptimi mes dy forcave më të mëdha politike, dhe hyn në fuqi menjëherë.
Ndryshimet ligjore sigurojnë mbulimin e gjithë shpenzimeve postare për çdo fletë votimi nga jashtë vendit, si dhe numërimin e tyre nga një komision dypartiak.
Kuvendi shqyrtoi përsëri sot dhe miratoi në seancë plenare një paketë ndryshimesh ligjore të dakordësuar mes forcave kryesore politike në Kodin Zgjedhor, të cilat e lehtësojnë më tej votimin e shqiptarëve nga jashtë vendit prej nga ata jetojnë.
Këto ndryshime ulin në zero pagesat nga qytetarët dhe sigurojnë një mbulim të plotë sa u takon shpenzimeve postare për votat nga jashtë.
Një tjetër ndryshim ligjor siguron numërimin e votave që do të kthehen nga posta prej një komisioni të balancuar dypartiak.
Po ashtu mirëkuptimi është arritur edhe për sa i takon shkurtimit të afateve për regjistrimin e partive politike dhe kandidatëve në garë, në mënyrë që të fitohen ditë për prodhimin e fletëve të votimit, që do të nisen me postë jashtë vendit dhe të kthehen në kohë pranë KQZ-së.
Për këto ndryshime në Kodin Zgjedhor kishte shprehur shqetësim edhe KQZ-së, si për kostot dhe afatet, ashtu edhe për ankesat në gjykatë nga diaspora deri 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve.