GORÇEVIQ NË VARSHAVË: PËRKUSHTIM NDAJ VLERAVE TË BOTËS SË LIRË – E VETMJA RRUGË E DREJTË

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministrja e Çështjeve Evropiane Maida Gorçeviq mori pjesë në takimin jozyrtar të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së në Varshavë.

Temat e takimit ishin kërcënimet hibride në kuadër të procesit të zgjerimit, me shqyrtimin e kundërmasave të mundshme, përvojat, si dhe ruajtjen e mbështetjes publike për procesin e anëtarësimit në BE.

Ministrja Gorçeviq vlerësoi se kërcënimet hibride janë të dukshme në Mal të Zi, të cilat përfshijnë fushata të koordinuara dezinformuese, sulme kibernetike në infrastrukturën kritike dhe instrumentalizimin e mediave sociale dhe tradicionale përmes përhapjes së narrativave të rreme.

Procesi i zgjerimit të BE-së shërben vazhdimisht si një garantues i sigurisë dhe stabilitetit për Evropën dhe botën, tha Gorçeviç, duke shtuar se ky proces, si një faktor i rëndësishëm për forcimin dhe ndikimin në BE, po bëhet edhe objektiv i kërcënimeve hibride të sofistikuara të dizajnuara për të minuar stabilitetin dhe demokracinë.

Ajo vuri në dukje se për të forcuar mbështetjen publike për procesin e zgjerimit të BE-së, është e nevojshme që në mënyrë efektive të komunikohen përfitimet konkrete të anëtarësimit dhe në këtë kontekst, ajo theksoi se Plani i Rritjes i shpallur së fundmi për Ballkanin Perëndimor është një tregues i qartë se integrimi sjell përfitime ekonomike edhe para anëtarësimit të plotë.

“Në Malin e Zi, ne jemi dëshmitarë të një rritje të ndikimit të huaj keqdashës, veçanërisht kur i afrohemi anëtarësimit në BE. Pavarësisht këtyre presioneve, orientimi i fortë properëndimor i Malit të Zi, anëtarësimi në NATO dhe përafrimi i plotë me politikën e jashtme të BE-së na kanë mundësuar t’u rezistojmë me sukses sfidave të tilla,“ informoi ministrja dhe vuri në dukje vendosmërinë dhe angazhimin e vendit tonë për të përfunduar procesin e anëtarësimit në BE deri në vitin 2028.

SHARE