Foto: fax.al
Egjipti është duke zhvilluar një plan për të rindërtuar Rripin e Gazës, që nuk parasheh largimin e palestinezëve nga territori i tyre, teksa shtetet arabe po tentojnë të minimizojnë propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump për t’i larguar banorët nga zona, dhe që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e territorit.
Plani, sipas një raportimi të medias shtetërore të Egjiptit, Al-Ahram, bën thirrje për krijimin e “zonave të sigurta” brenda Gazës, ku palestinezët do të mund të qëndronin derisa kompanitë ndërtuese prej Egjiptit dhe vendeve tjera të rindërtonin infrastrukturën.
Tri zonat e sigurta do të funksionin për një periudhë fillestare gjashtëmujore, sipas planit.
Shtëpitë mobile do të mund të krijoheshin dhe do të mundësohej dërgimi i ndihmave humanitare, parasheh mes tjerash plani.
Ky projekt rindërtimi – që mund të zgjasë pesë vjet – do të ofronte mijëra vende pune për banorët e Gazës, ka thënë një zyrtar i Egjiptit për agjencinë e lajmeve Associated Press (AP).
Dy zyrtarë të Egjiptit dhe diplomatë perëndimorë i kanë thënë AP-së se Kairoja është duke diskutuar planin me zyrtarë në Evropë, Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Në këto negociata është thënë se po diskutohen edhe ndarjet buxhetore.