Foto: Presidenti.al
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë shtetërore të organizuar në Prishtinë me rastin e 17-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Ai u bëri thirrje shqiptarëve për unitet, bashkëpunim dhe përkushtim për të ruajtur dhe çuar përpara atë që kanë arritur deri tani.
“Ne shqiptarët, përgjatë gjithë historisë sonë të lashtë, nuk kemi pasur nga askush dhurata politike. Na është dashur të luftojmë për të drejtat tona më themelore: lirinë, pavarësinë, gjuhën tonë. Sot kemi arritur t’i gëzojmë. Për këtë jemi krenarë. E me këtë krenari të mbajmë edhe përgjegjësi për sfidat që kemi përpara. Ta duam kombin shqiptar me fuqinë hyjnore, të punojmë së bashku me fuqinë njerëzore për të ruajtur lirinë, për të forcuar paqen, demokracinë dhe stabilitetin, të punojmë së bashku për prosperitet dhe integrim, të jemi ndërtues të së ardhmes së begatë të kombit shqiptar,” tha Begaj dhe kërkoi më pak burokraci mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe më shumë fuqizim në mënyrë që faktori shqiptar të jetë ndikim në rajon e më gjerë.
Po ashtu ai i bëri apel BE-së të heqë sanksionet ndaj Kosovës dhe të shtojë njohjet nga vendet evropiane që kanë refuzuar deri tani.
“Ne besojmë se Evropa e Bashkuar është destinacioni ynë strategjik dhe jetik, është një projekt në shërbim të paqes, demokracisë, sigurisë, stabilitetit e prosperitetit. Shqiptarët besojnë në Bashkimin Evropian, në vlerat që ai përfaqëson, si dhe në përkushtimin për zgjerim, por mosnjohja e shtetit të Kosovës është akt që bie ndesh me këtë përkushtim. Dëshirojmë që këto vende të rishikojnë qëndrimet e tyre dhe, gjithashtu, Bashkimi Evropian të heqë sanksionet e vendosura padrejtësisht ndaj shtetit të Kosovës,” theksoi presidenti i Shqipërisë.
Begaj përgëzoi arritjet e Kosovës në këto 17 vite.