SHEFJA E KOMISIONIT EVROPIAN: EVROPA DUHET TË JETË PËRGJEGJËSE PËR SIGURINË E SAJ

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen deklaroi se bota po përballet me një realitet të rrezikshëm dhe të bazuar në interesa, duke theksuar se “Evropa duhet të jetë përgjegjëse për sigurinë e saj”, raporton Anadolu.

Duke folur në seancën plenare të Parlamentit Evropian (PE) në Strasburg, Von der Leyen tha se bota është bërë e rrezikshme dhe e udhëhequr nga interesa. “Një botë ku ka luftëra dhe ku grabitqarët veprojnë lirshëm. Realiteti i kësaj bote do të thotë se ne, evropianët, duhet të jemi në gjendje të mbrohemi dhe të mbështetemi te vetvetja”, theksoi ajo.

Sipas saj, evropianët nuk duhet të lejojnë që botëkuptimet e të tjerëve t’i përkufizojnë ata dhe se, njëkohësisht, nuk duhet të habiten nga ajo që të tjerët thonë për Evropën. Duke iu referuar Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të publikuar nga administrata amerikane më 5 dhjetor, Von der Leyen pranoi se është e vërtetë që Evropa po humb peshë në prodhimin e brendshëm bruto global.

“Por, ekziston edhe një e vërtetë e pashkruar. Edhe shifrat e SHBA-së ndjekin një prirje të ngjashme. Prandaj, kjo nuk është historia e një ekonomie në njërën apo tjetrën anë të Atlantikut. Është historia e zhvendosjes së ekonomisë botërore”, tha ajo.

Duke theksuar se në Samitin e Liderëve të BE-së, që do të mbahet nesër, vëmendja duhet të përqendrohet te interesat strategjike dhe prioritetet, Von der Leyen shtoi: “Dua të përsëris sërish atë që kam thënë në fjalimin tim për gjendjen e Bashkimit: ky është momenti i pavarësisë së Evropës. Epoka e pavarësisë evropiane duhet të jetë e pandalshme”.

Zyrtarja e lartë evropiane vuri në dukje se BE-ja ka shënuar përparime shumë të rëndësishme kohët e fundit, por se ende ka shumë punë për t’u bërë.

“Evropa duhet të jetë përgjegjëse për sigurinë e saj. Kjo nuk është më një zgjedhje, por domosdoshmëri. Ne i njohim kërcënimet me të cilat përballemi dhe do t’u dalim përballë. Kjo do të thotë se duhet të jemi të përgatitur”, tha von der Leyen.

SHARE