BE-ja HEQ MASAT SHTRËNGUESE NDAJ KOSOVËS

Me arsyetimin se është vlerësuar si “transferim i duhur i pushtetit lokal në veri të Kosovës”, Bashkimi Evropian njoftoi miratimin e fondeve për katër projekte.

Në këtë mënyrë, BE-ja ka filluar heqjen e disa masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në vitin 2023, edhe pse shumë të tjera ende mbeten të bllokuara.

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, e konfirmoi lajmin pas një letre zyrtare nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman.

Sipas letrës së publikuar nga Bislimi, fondet për katër projektet u dhanë si rezultat i vlerësimit për “transferim të duhur të pushtetit lokal në veri” pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë eurosh.

Në letrën e tij, Koopman shkruan: “Bazuar në këto dhe në përputhje me komunikimin e Komisionit për Zgjerimin 2025, kam kënaqësinë t’ju informoj se Komisioni do të heqë më tej disa nga masat e BE-së, konkretisht ato që lidhen me programin e fondeve të BE-së dhe kontraktimin e projekteve prioritare”.

Lëvizjen e BE-së e përshëndeti Kosova, duke theksuar megjithatë se pret heqjen e plotë të masave.

“Ne kemi insistuar vazhdimisht për heqjen e masave. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat e veriut në mënyrë ligjore dhe paqësore”, theksoi Bislimi.

Mediat në Prishtinë raportojnë se Bashkimi Evropian nuk do t’i heqë këtë vit të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Komisioni Evropian ka kërkuar nga Kosova që t’i paraqesë projektet edhe për përdorimin e fondeve IPA për periudhën 2026–2027, të cilat duhet të miratohen nga Komisioni Evropian dhe të mbështeten nga vendet anëtare.

SHARE