BE-ja DO TË RIHAPË AMBASADËN NË DAMASK PAS RRËZIMIT TË ASADIT

Foto: AP

Bashkimi Evropian do të rihapë misionin e saj në Damask pas bisedimeve “konstruktive” me udhëheqjen e re të Sirisë pas largimit të sundimtarit Bashar al-Assad, tha të martën shefja e politikës së jashtme të bllokut.

“Ky është një hap shumë i rëndësishëm, që ne do të rihapim delegacionin në Siri”, tha Kaja Kallas në Parlamentin Evropian.

Kryediplomati i BE-së për Sirinë vizitoi Damaskun të hënën për ato që Kallas i quajti “kontaktet e para konstruktive me udhëheqjen e re dhe grupe të tjera të ndryshme, gjithashtu shoqërinë civile”.

Shtetet evropiane – së bashku me akterë të tjerë ndërkombëtarë – po përpiqen për ndikim në Siri pas përfundimit të dominimit pesë dekadash të familjes Assad.

Por ata janë të kujdesshëm ndaj autoriteteve të reja të udhëhequra nga grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS), i cili kishte rrënjë në Al-Qaida dhe është cilësuar si një organizatë “terroriste” nga disa qeveri perëndimore.

“Ne nuk mund të lëmë vakum në Siri. BE-ja duhet të jetë e pranishme,” tha Kallas.

BE-ja ka thënë se është e gatshme të rrisë mbështetjen për Sirinë, por ka parashtruar një sërë kushtesh që liderët e rinj duhet t’i respektojnë.

Ato përfshijnë mbrojtjen e pakicave, mbikëqyrjen e një tranzicioni gjithëpërfshirës dhe shmangien e ekstremizmit.

SHARE