ABAZOVIQ VIZITË ZYRTARE NË ULQIN

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Malit të Zi Dr. Dritan Abazoviq sot në delegacion me ministrat e financave dhe të ekologjisë, Millojko Spajiq dhe Ratko Mitroviq, vizitoi komunën e Ulqinit dhe fillimisht bisedoi me drejtuesit e administratës lokale. “Qeveria e Malit të Zi urgjentisht duhet të sjellë vendimin rreth çështjes së pronësisë mbi tokën në Kripore. Kjo është pika më e rëndësishme ekologjike në Mal të Zi, e cila ka rëndësi ndërkombëtare,” Abazoviq. Abazoviq dhe Mitroviq thanë se Qeveria e Malit të Zi do të ndihmojë që kompania të rifilloi funksionimin e saj dhe të kthehet prodhimtaria në Kripore. Ky është kusht për ruajtjen e diversitetit, pajtohen edhe përfaqësuesit e organizatave ekologjike joqeveritare të cilët biseduan me to. “Edhe ne jemi të gatshëm të punojmë, mirëpo po ashtu presim që statusi ynë të zgjidhet”, thanë punëtorët e Kripores. Kryetari i Komunës së Ulqinit Loro Nrekiq tha se e kanë hartuar planin e administrimit të cilin ia kanë dorëzuar Qeverisë. “Nëse nuk zgjidhet çështja e pronësisë së Kripores, Komuna e Ulqinit nuk do ta marrë përsipër obligimin e administrimit të Kripores”, paralajmëroi ai. Abazoviq poashtu ka vizituar Valdanosin ku theksoi se për qytetarët e Ulqinit Valdanosi ka rëndësi të veçantë. Ai tha se Qeveria do të ndërmarrë të gjitha masat që në afatin sa më të shkurtë, në mënyrë ligjore, të arrihet drejtësia. “Ullishta në Valdanos nuk u shfrytëzua për dedikimin që u morr dhe ajo duhet ti kthehet pronarëve të vërtet. Vetëm ato mund të çlirojnë ullinjtë, e me çlirimin e tyre do të çlirohet edhe shpirti ynë dhe çdo gjë pozitive që qyteti ynë ka emetuar gjatë histories,” tha Abazoviq.

SHARE