Foto: Klubi Besa
Të shtunën, në Zhablak u zhvillua Kupa e Parë e Durmitorit si dhe Turneu i 5-të Ndërkombëtar “Durmitor Open”.
Klubi “Besa” mori pjesë në kuadër të bashkëpunimit me klubin e binjakëzuar, duke garuar me 20 sportistë në dy disiplina: lufta dhe forma.
Megjithëse synimi ishte pjesëmarrja me një numër edhe më të madh garuesish, për arsye të ndryshme kjo nuk u realizua.
Sidoqoftë, ekipi i përbërë kryesisht nga fillestarë arriti një sukses të jashtëzakonshëm, duke u dekoruar me gjithsej 57 medalje dhe dy kupa në disciplinën e formave, ku zuri vendin e dytë në renditjen gjenerale.
Nga medaljet e fituara, 18 ishin të arta, 21 të argjendta dhe 18 të bronzta, një rezultat që vlerësohet si paraqitje shumë e suksesshme dhe përvojë e vlefshme për sportistët e rinj.
Në këto dy ngjarje sportive morën pjesë rreth 400 atletë nga Kroacia, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi si vend nikoqir.









