REPUBLIKANËT ‘RIKTHEHEN’ NË DHOMËN E PËRFAQËSUESVE

Republikanët siguruan numrin e mjaftueshëm të vendeve për të fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, duke përgatitur terrenin për dy vjet qeverisjeje të ndarë në kushtet kur Partia Demokrate e Presidentit Joe Biden ruajti kontrollin e Senatit. Fitorja u jep republikanëve mundësinë që të frenojnë programin e Biden, si dhe të hapin hetime që mund të jenë të dëmshme politikisht për administratën dhe familjen e Biden, megjithëse kjo fitore është shumë larg nga “vala e kuqe” që partia kishte shpresuar. Parashikimi përfundimtar për fitoren e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve erdhi pas më shumë se një jave numërimi votash. Fitorja e republikanëve në distriktin e 27-të të Kongresit në Kaliforni i dha epërsinë partisë. Udhëheqësi aktual i republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, mund të ketë përballë një rrugë të vështirë, pasi do t’i duhet ta mbajë grupin e tij të bashkuar për votime kritike përfshirë buxhetin e qeverisë dhe ushtrisë në një kohë kur ish-presidenti Donald Trump ka shpallur kandidaturën për të marrë edhe një herë Shtëpinë e Bardhë. Megjithëse humbja e demokratëve paraqet vështirësi për presidentin Biden, ai shtriu dorën e bashkëpunimit, duke përgëzuar republikanët dhe duke thënë se do të punonte me ta për të dhënë rezultate për amerikanët. “Populli amerikan do që ne të punojmë për ta,” tha ai në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë. “Unë do të punoj me të gjithë qofshin republikanë apo demokratë, që janë të gatshëm të punojnë me mua për të dhënë rezultate për ta,” tha ai. Tani Dhomës së Përfaqësuesve i duhet të zgjedhë kryetarin për dy vitet e ardhshme. Udhëheqësi i republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, McCarthy fitoi të martën mbështetjen e shumicës parlamentare për të kandiduar për pozicionin e fuqishëm që do të pasonte kryetaren aktuale, demokraten Nancy Pelosi.

SHARE