SPIROPALI NË DIALOGUN MESDHETAR MED NË NAPOLI: SHQIPËRIA E PËRKUSHTUAR NDAJ INTEGRIMIT TË PLOTË NË BE

Në kuadër të pjesëmarrjes në edicionin e XI-të të Dialogut Mesdhetar MED, që po zhvillohet në Napoli të Italisë, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ishte folëse kryesore në panelin e nivelit të lartë me temë “Rifuqizimi i Diplomacisë Ndërkombëtare dhe Roli i Ballkanit”.

Gjatë diskutimit me homologët nga vendet e rajonit, Ministrja Spiropali vuri në dukje ritmin e përshpejtuar të negociatave të Shqipërisë me institucionet e Bashkimit Evropian, si dhe reformat gjithëpërfshirëse që vendi ka ndërmarrë në funksion të objektivit strategjik: anëtarësimit të plotë në BE.

“Rruga drejt BE-së qëndron në zemër të progresit transformues të Shqipërisë dhe është e mbështetur nga miq të mëdhenj si Italia”, u shpreh Ministrja Spiropali.

Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-italiane: “Lidhjet tona të thella historike dhe kulturore, së bashku me mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Italisë për rrugëtimin tonë të integrimit, përbëjnë një themel të qëndrueshëm për forcimin e Partneritetit tonë Strategjik.”

SHARE