Në Forumin e Investimeve Shqipëri–Turqi, i zhvilluar në Tiranë, Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje sipërmarrësve të huaj që të investojnë në Shqipëri.
Rritja e shkëmbimeve tregtare dhe thellimi i bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm ishin në qendër të forumit, i cili mblodhi qindra sipërmarrës nga Shqipëria dhe Turqia.
“Objektivi është të dyfishojmë sërish shkëmbimet tregtare dhe të ndërtojmë një autostradë suksesi midis Bosforit dhe Adriatikut. Kjo marrëdhënie nuk është thjesht ekonomike, por një udhëtim drejt të ardhmes. Ura që lidh Stambollin me Tiranën është më e fortë se kurrë më parë – një urë që afron Lindjen me Perëndimin, përmes Korridorit 8 dhe portit të ri të Durrësit”, theksoi Kryeministri Rama.
Turqia është aktualisht investitori i pestë më i madh në Shqipëri.
Nga ky forum, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi lehtësirat fiskale që ofron Shqipëria për bizneset e huaja.
“Shqipëria ka një nga kuadrot fiskale më konkurruese në Europë, me përfitime të veçanta për investitorët e huaj dhe për sektorët strategjikë si turizmi, energjia, teknologjia, bujqësia dhe industria. Këto përfshijnë përjashtime nga taksat apo lehtësira të tjera tatimore. Për shembull, në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe zhvillimit të softuerit, aplikohet një taksë prej vetëm 5% mbi fitimin, si dhe përjashtim nga tatimi për një periudhë 15-vjeçare për bizneset e vendosura në parqe teknologjike apo shkencore. Në bujqësi dhe agroturizëm, aplikohet një tatim 5% deri të paktën në vitin 2029. Po ashtu, edhe industria automotive përfiton nga tatimi i reduktuar prej 5% deri në fund të vitit 2029”, u shpreh Balluku.
Aktualisht, në Shqipëri veprojnë 578 biznese me pronësi turke dhe 80 sipërmarrje të përbashkëta. Ndërkohë, stoku i investimeve turke në vend ka arritur në 1.3 miliardë euro.