Foto: Shutterstock
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se furnizimi me barna dhe materiale mjekësore është i pandërprerë dhe nuk vihet në dyshim.
Qeveria e Malit të Zi, në mbledhjen e mbajtur më 15 tetor, ka dhënë pëlqimin për nisjen e procedurës së prokurimit të barnave, materialit mjekësor dhe pajisjeve ndihmëse për nevojat e institucioneve publike shëndetësore dhe farmacive “Montefarm”, kanë njoftuar nga ky resor qeveritar.
Nga kjo ministri bëjnë të ditur se, bazuar në vendimin e Qeverisë, është parashikuar që të nisë prokurimi në një shumë totale prej 30.666.850,31 euro, me qëllim sigurimin e furnizimit të rregullt dhe stabil të institucioneve publike shëndetësore dhe farmacive me barnat, materialet mjekësore dhe pajisjet ndihmëse të nevojshme deri në fund të vitit 2025.
“Furnizimi me barna dhe materiale mjekësore është i vazhdueshëm dhe nuk vihet në dyshim. Të gjitha aktivitetet po zhvillohen në mënyrë të planifikuar dhe të koordinuar, në mënyrë që qytetarëve t’u jenë të disponueshme të gjitha terapitë dhe shërbimet shëndetësore të nevojshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas tyre, procedurën e prokurimit e zhvillon Institucioni Publik Farmacitë e Malit të Zi “Montefarm”, në bashkëpunim me Fondin për Sigurimin Shëndetësor të Malit të Zi dhe Ministrinë e Shëndetësisë, në përputhje me rregullat në fuqi dhe vendimet e Qeverisë.
Ata shtojnë se Montefarm vazhdon në mënyrë të rregullt procesin e furnizimit dhe shpërndarjes së barnave për farmacitë dhe institucionet publike shëndetësore. Sipas informatave nga ky institucion, deri në fund të këtij viti nuk priten ndërprerje në furnizim.
“Qeveria e Malit të Zi dhe Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me institucionet kompetente shëndetësore, gjithmonë ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme që institucionet shëndetësore në Mal të Zi të jenë të furnizuara rregullisht, ndërsa qytetarëve t’u jenë të disponueshme të gjitha terapitë dhe mjetet mjekësore të nevojshme,” thuhet në njoftim.