KUVENDI MIRATON LIGJIN PËR VLERËSIMIN UNIFIKUAR TË INVALIDITETIT NË MAL TË ZI

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar Projektligjin për vlerësimin e unifikuar të invaliditetit, ka njoftuar Ministria e Mirëqenies Sociale, Kujdesit për Familjen dhe Demografisë. Së bashku me këtë ligj, Kuvendi ka miratuar edhe ndryshimet në shtatë ligje të tjera, me qëllim harmonizimin e tyre me ligjin e ri për vlerësimin unik të invaliditetit.

Ministri Damir Gutiq shpjegoi se me ligjin e ri përcaktohet se vlerësimi unik i invaliditetit është një procedurë për vlerësimin e ekzistencës së dëmtimit afatgjatë fizik, mendor, intelektual dhe/ose shqisor të një personi, i cili, në ndërveprim me pengesa të ndryshme, mund të kufizojë pjesëmarrjen e plotë dhe efektive në shoqëri.

Në bazë të kësaj, përcaktohet statusi i personit me aftësi të kufizuara dhe niveli i mbështetjes së nevojshme për përfshirje të barabartë në shoqëri.

Me vendosjen e këtij sistemi të ri, do të shfuqizohen mbi 40 komisione që vepronin në pesë sektorë të ndryshëm.

Vendimi për statusin dhe nivelin e mbështetjes do të përdoret në të gjitha fushat, përfshirë edhe për fëmijët me vështirësi në zhvillim.

Gutiq theksoi se është bërë e domosdoshme përshtatja e kuadrit ligjor në fusha si mbrojtja sociale dhe e fëmijëve, mbrojtja e veteranëve dhe invalidëve, sigurimet pensionale dhe invalidore, puna dhe punësimi, rehabilitimi profesional i personave me aftësi të kufizuara, si dhe arsimi për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore.

Qëllimi kryesor, sipas ministrit, është të sigurohet siguri ligjore dhe zbatim i qëndrueshëm i normave të reja në praktikë.

SHARE