BANKA BOTËRORE: RRITJA VITIN E ARDHSHËM 3.5 PËR QIND

Ekonomia malazeze do të rritet me 3.5 për qind vitin e ardhshëm, që është 0.7 përqindje më shumë se parashikimi i mëparshëm, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore (BB).

Në raportin e ri të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, i cili u publikua sot nga BB, thuhet se sivjet ekonomia malazeze do të rritet me 3.5 për qind, që ishte e njëjtë me parashikimin e pranverës.

Në raportin e Bankës Botërore u tha se parashihet rritje ekonomike për gjashtë ekonomë e Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, që vitin 2025 do të arrijë në 3.7 për qind apo 0.2 pikë të përqindjes më e lartë sesa paraprakisht ishte parashikuar.

“Faktorët e brendshëm vijojnë të mbështesin një përshpejtim më ritëm të moderuar të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Përveç kësaj, në periudhë afatmesme, rimëkëmbja graduale e aktivitetit ekonomik në Bashkimin Evropian pritet të luajë rol vendimtar në forcimin e eksporteve të rajonit”, tha Isolina Rossi, ekonomiste në Bankën Botërore dhe autore kryesore e raportit.

“Pavarësisht perspektivës pozitive, rajoni vijon të mbetet i ekspozuar ndaj një sërë rreziqesh, si rritja e ngadaltë ekonomike në nivel global, kthimi i inflacionit sërish në nivele të larta, pasiguritë politike dhe ngjarjet ekstreme të motit”, shtoi ajo.

Banka Botërore tha se me rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor, standardet e jetesës në rajon “po vijojnë të konvergojnë gradualisht me ato të ekonomive më të përparuara të Bashkimit Evropian”.

Megjithatë, kjo organizatë tha se që të ruhet vrulli i rritjes ekonomike kërkohet përshpejtimi i reformave strukturore, përfshirë ato që parashihen në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së.

“Për të mbështetur këtë rritje ekonomike, vendet e rajonit duhet të forcojnë tregtinë rajonale dhe me Bashkimin Evropian, të reduktojnë kohën e pritjes në kufi dhe të integrojnë sistemet e pagesave”, tha Xiaoqing Yu, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor është miratuar nga BE-ja në maj dhe kap vlerën e 6 miliardë eurove.

SHARE