Emanuel Macron, presidenti i Francës, është sot në ditën e dytë të vizitës së tij në Shqipëri, e para vizitë zyrtare e një presidenti të Francës në historinë e Shqipërisë.
Në Kryeministri u nënshkruan disa marrëveshje të rëndësishme si ajo për Udhërrëfyesin për bashkëpunimin ekonomik Francë Shqipëri, në fushën e kulturës, përfshi forcimin e bashkëpunimit policor në fushën balistike mes dy ministrive të punëve të brendshme, bashkë me memorandumin e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit (AFD).
Kryeministri shqiptar i kërkoi Emanuel Macron dhënien fund të ankthit dhe pasigurisë të shkaktuar në rajon prej vështirësisë së brendshme të Bashkimit Europian për t’u zgjeruar në rrugën tradicionale.
“Prania e Presidentit konfirmon besimin se rruga europiane e Shqipërisë dhe rritja e Shqipërisë në ambicien për tu bërë Europa e Ballkanit është e pakthyeshme. Dhe sot dua ta përsëris përpara presidentit që ne do përpiqemi në vijimësi që të mos jemi një nga gjashtë pjesët e Ballkanit që është europiane kur flet me Europën dhe ri bëhet ballkanike kur flet me pesë pjesët e tjera. Ne duam të jemi këtu në Ballkan referenca europiane e këtij komuniteti ballkanik dhe do vazhdojmë të investohemi për ta mishëruar Europën sepse në fund fare procesi i integrimit, procesi i zgjerimit, procesi i ribashkimit janë procese që kanë vlerë për sa kohë transformojnë vetveten”, tha Rama.
Presidenti Macron tha gjatë fjalës në konferencë se do të vazhdojnë të ecin përpara dhe shtoi se është i bindur që Shqipëria është vend i ankoruar në Evropë.
Ai tha se të jetë në Shqipëri do të thotë që të shënojë një formë riangazhimi të Francës për vendin dhe rajonin.
Duke folur edhe procesin e zgjerimit të BE-së dhe integrimit evropian të Shqipërisë, ai tha se “Nuk është një dhuratë që po i bëhet Shqipërisë, popullit të saj. Procesi i zgjerimit që ka filluar është mirë për ju është mirë dhe për ne dhe është një zgjedhje gjeopolitike dhe vullnet i përbashkët. Përndryshe do të jetë rreziku që këto procese të pafundme t’i dekurajojnë opinionet publike, edhe ato më eurofilet. E dua më politike sesa teknike”.
Në lidhje me Komunitetin Politik Evropian, Macron tha se “Më tepër synojmë një bashkim mes të ngjashmish ku ne të flasim në mënyrë të respektueshme për çështje që kemi të përbashkëta, si mbrojtja, emigracioni, energjia dhe gjeopolitika. Nëse Evropa do ta mendojë veten si fuqi, nëse do të ketë një fat gjeopolitik ka nevojë të ribashkohet”.