VON CRAMON: TË PRANOHET PROPOZIMI FRANKO-GJERMAN

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, tha se Prishtina dhe Beogradi duhet ta konsiderojnë seriozisht ofertën e Parisit dhe Berlinit sepse është e mundur që propozimi i ardhshëm të mos jetë më i mirë se ky. Ajo tha se Beogradi dhe Prishtina, duhet të gjejnë një kompromis të qëndrueshëm dhe të kapërdijnë edhe disa pilula të hidhura në rrugën drejt përparimit. “Ne e mbështesim plotësisht dhe në mënyrë të palëkundur punën e Miroslav Lajçak dhe besoj se qëllimi mund të jetë real”, tha von Cramon pasi u pyet nëse marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet deri në fund të vitit 2024. Ajo tha edhe se Serbia sot është më larg Bashkimit Evropian se c’ishte në vitin 2000. “Unë nuk jam e sigurt se njerëzit në Serbi e dinë se reputacioni i Serbisë është më i keqi që nga viti 1999”, nënvizoi ajo. Është folur së fundmi se një propozim i ri i është vendosur mbi tryezë kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vucic, për vijimin e dialogut, nga këshilltarët e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Szholz. Në thelb, propozimi flet për modelin e dy gjermanive që nënkupton se serbia e pranon pavarësinë e kosovës por nuk e njeh zyrtarisht atë, ndërkohë që kosova zë vend në OKB. Në këmbim të kësaj, serbisë do ti lehtësohej integrimi në BE. Prishtina nuk e ka konfirmuar ekzistencën e një plani të tillë por as nuk e ka mohuar ndërsa Vucic ka folur më në detaje.

SHARE