MILLATOVIQ: GJENDJA E EKONOMISË SË MALIT TË ZI ËSHTË SHQETËSUESE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi se inflacioni është problemi më i madh ekonomik në vend, duke theksuar se standardi i qytetarëve po përkeqësohet çdo ditë.

Në takimin me përfaqësuesit e misionit të FMN-së, ai rikujtoi se që në shkurt i kishte propozuar Qeverisë një set prej dhjetë masash për zbutjen e çmimeve, por që nuk ka pasur asnjë reagim.

Millatoviq shprehu shqetësim për rënien ekonomike, duke përmendur se më shumë se gjysma e të punësuarve marrin paga më të ulëta se 800 euro, ndërsa vlera reale e pagës mesatare ka rënë me 40 euro krahasuar me vitin e kaluar.

Ai theksoi se turizmi është në rënie për të dytin vit radhazi, bilanci tregtar është përkeqësuar dhe mbulimi i importit me eksport ka rënë në vetëm 13%, niveli më i ulët historikisht.

Po ashtu kritikoi keqmenaxhimin dhe punësimet partiake në ndërmarrjet shtetërore, si dhe humbjet e mëdha të Elektroekonomisë dhe procesin e dyshimtë të dhënies me koncesion të Aeroporteve të Malit të Zi.

Presidenti tha se vendi nuk mund të humbasë më kohë me politika të dështuara dhe kërkoi fokus në ekonomi, investime dhe punësim të qëndrueshëm.

Ai theksoi se BE-ja është mundësia më e madhe për zhvillim dhe se ekonomia duhet të ndërtohet mbi katër shtylla: bujqësia, energjia, teknologjia dhe turizmi, me mbështetje të veçantë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Në fund, Millatoviq kërkoi menaxhim të mirëfilltë të pasurisë shtetërore, transparencë të plotë dhe tolerancë zero ndaj korrupsionit, duke theksuar se vetëm kështu Mali i Zi mund të arrijë standardin evropian dhe të sigurojë të ardhme më të mirë për qytetarët.

SHARE