Foto: MÇE
Ministrja e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq, deklaroi se sundimi i ligjit mbetet shtyllë kyçe e rrugës evropiane të vendit, jo vetëm si kriter për negociatat me BE-në, por edhe si themel i vlerave që ndërtojnë të ardhmen e shtetit.
Këtë deklaratë ajo e bëri gjatë mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, e mbajtur në Bruksel, me temë sundimin e ligjit, e cila u kryesua nga ministrja daneze për çështje evropiane, Mari Bjere.
Në takim morën pjesë edhe ministrat për çështje evropiane të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Ministrja Gorçeviq theksoi se Mali i Zi po vazhdon me vendosmëri reformat në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve.
Ajo kujtoi se janë arritur rezultate të matshme në hetime dhe aktakuza kundër funksionarëve të lartë, duke dëshmuar se drejtësia vlen njësoj për të gjithë.
U vu në dukje edhe rritja e numrit të aktgjykimeve në fushën e krimit të organizuar, çka është evidentuar edhe në dokumentin e fundit “non-paper” për kapitujt 23 dhe 24.
Gorçeviq theksoi përparimin në konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe paralajmëroi miratimin e një ligji të ri për këtë çështje.
Ajo veçoi bashkëpunimin e suksesshëm ndërkombëtar me EUROPOL-in, FBI-n dhe DEA-n në operacione të përbashkëta.
Ajo gjithashtu bëri të ditur se është hapur konkursi për punësimin e 815 oficerëve policorë, ndërsa në sistemin gjyqësor janë emëruar prokurorë dhe gjyqtarë të rinj në institucionet e specializuara, duke përmirësuar efikasitetin në trajtimin e lëndëve të ndërlikuara.
Ministrja theksoi gjithashtu se Qeveria ka nisur procedurën për ndryshimin e Kushtetutës, duke larguar ministrin e Drejtësisë nga Këshilli Gjyqësor, në përputhje me rekomandimet e partnerëve evropianë.
Një rëndësi të veçantë ajo i kushtoi edhe reformave në legjislacionin zgjedhor. Me miratimin e ligjeve për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore, për zgjedhjen e deputetëve dhe pushtetin lokal, Mali i Zi ka treguar, sipas saj, pjekuri politike dhe përkushtim ndaj modernizimit të sistemit zgjedhor.
“Veprimet tona nuk janë vetëm teknike, por hapa thelbësorë drejt ndërtimit të një shoqërie ku drejtësia, përgjegjësia dhe sundimi i ligjit vlejnë për të gjithë. Mali i Zi mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe është i gatshëm, në partneritet me BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë, të ndërtojë një sistem efikas dhe të qëndrueshëm të qeverisjes, me synimin për t’u bërë anëtar i plotë i familjes evropiane deri në vitin 2028,” përfundoi Gorçeviq.