Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për politikë të jashtme, Peter Stano, në një konferencë për media tha se BE-ja mirëpret zvogëlimin e mëtejshëm të pranisë së Policisë së Kosovës në objektet e katër komunave në veri të Kosovës dhe rreth tyre, por shtoi se duhen marrë hapa tjerë për ta shtensionuar situatën në veri.
Stano tha se hapat e ndërmarra nga pala kosovare “janë hapa shumë të rëndësishëm në drejtimin e duhur”, por shtoi se “duhen hapa tjerë”.
“Si me çdo gjë tjetër në dialog, afatet kohore nuk janë në dorën tonë, ato varen nga aftësitë e palëve për të ofruar në kërkesat e nevojshme, apo kriteret apo zotimet. Për ta zgjidhur krizën aktuale, kemi thënë shumë herë, duhen të shpallen zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat në veri sa më pare që të jetë e mundur. Zgjedhjet të organizohen në mënyrë të plotë dhe gjithpërfshirëse, që nënkupton pjesëmarrjen e plotë dhe të pa kusht të serbëve të Kosovës dhe gjithashtu është shumë me rëndësi që palët të rikthehen në dialogun Kosovë-Serbi”, ka thënë Stano.
Ai tha se është me rëndësi që të ketë rikthim në dialog ku do të diskutoheshin çështjet një nga një, ashtu siç është Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i saj i zbatimit.
Stano tutje tha se kërkesat e BE-së duhet të zbatohen me urgjencë në rrafshin e dy popujve dhe midis udhëheqësve të të dyja vendeve të Ballkanit.
Ai shtoi se BE-ja dhe shtetet anëtare kanë bërë të qarta kërkesat për shtensionim që në qershor dhe se “Kosovës i ishte kërkuar të mos sillej në mënyrë përshkallëzuese”.
“Palët duhet të fillojnë të punojnë si duhet në normalizim, të ecin para në agjendën evropiane, pasi nëse nuk ka progres në dialog, s’ka progres edhe në rrugën evropiane”, theksoi Stano.