Banorët e një prej qyteteve më të mëdha në veri të Kanadasë, Jellounajf, janë urdhëruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre, pas paralajmërimeve se zjarret pyjore mund të zgjerohen deri në fundjavë.
Kriza në këtë qytet shënon një tjetër kapitull të vështirë në përballjen e Kanadasë me zjarret në pyje. Aktualisht, në këtë vend janë aktive më shumë se 1.000 zjarre në pyje, përfshirë 230 në territoret veriperëndimore, ndërsa Kanadaja, dhe një pjesë e mirë e botës, regjistrojnë të nxehtë ekstrem.
“Fatkeqësisht, situata jonë me zjarret ka marrë rrugën e gabuar, pasi zjarret që po digjen në Jellounajf tani përbëjnë kërcënim real për qytetin”, ka thënë Shane Thompson, ministër për Ambientin në Kanada.
Ai u ka kërkuar 200.000 banorëve të qytetit që të largohen nga ajo zonë deri në mesditën e së premtes.
“Dua ta theksoj se qyteti nuk është në rrezik urgjent. Por, pa reshje shiu, zjarri mund të arrijë në periferi deri në fundjavë. Ju rrezikoni veten dhe të tjerët nëse vendosni të qëndroni aty më vonë”, ka thënë ai.
Vetëm një autostradë do të jetë e hapur në atë zonë, ndërsa fluturimet komerciale dhe ushtarake do të ndryshojnë drejtimin.
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ka thënë në platformën X, se Otava do të ndihmojë “me sa të mundet”.
Erërat e forta besohet se kanë ndihmuar zjarret të përhapen dhe si pasojë, janë evakuuar tashmë edhe disa qyteza të tjera në Kanada.