KUVENDI NUK KONSTITUOHET PËRSËRI, NISMA PARALAJMËRON MARRËVESHJE TË MUNDSHME

Deputetët e zgjedhur kanë dështuar ta bëjnë Kuvendin e ri të Kosovës edhe në tentimin e së enjtes, pavarësisht se po soset afati i dhënë nga gjykata më e lartë e vendit për formimin e institucionit ligjvënës më së largu deri më 26 korrik.

Midis kësaj ngecjeje të vazhdueshme, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, tha se pret që kryetari i partisë, Fatmir Limaj, të takohet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një marrëveshje të mundshme në fundjavë.

“Presim që në fundjavë të ketë një epilog pozitiv, pra shpresojmë se këto bisedime që kanë vazhduar me muaj të tërë, të prodhojnë rezultat dhe Kosova të ketë institucione”, tha Izmaku për gazetarë.

Ajo tha se çështje e bisedimeve është që Limaj të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit, duke shtuar se “më në fund dikush po del mbi egot personale dhe partiake, e ky duket që do të jetë zoti Limaj pra, sepse nga fillimi e ka ndryshuar diskursin në këtë vend”.

Kjo është hera e 48-të që deputetët u mblodhën, çdo të dytën ditë që nga 15 prilli, dhe dështuan ta përmbushin detyrimin kushtetues.

Edhe në këtë mbledhje, partitë deri më tash në opozitë – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ata e konsiderojnë këtë procedurë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur.

SHARE